Feeds:
Postime
Komente

Bledar Kuka

Nëse dikush do të donte të dinte se çfarë ndodh prapa dyerve të selive të federatave tona sportive ai do ta kishte shumë të vështirë që ta merrte vesh. Prapa dyerve ka kolltukë, por edhe kasaforta ku ruhen dokumentacionet që bëjnë fjalë për para, për të gjitha paratë që xhirohen në atë federatë. Ndërsa ato janë lekë djerse dhe gjaku që u merren nënshtetasve qytetarë të këtij vendi, shumica dërrmuese e federatave tona sillen me to si të ishin pasuri private e presidentit apo e sekretarit të përgjithshëm (ekzekutiv) të tyre.

Ne kemi mësuar nga bota e qytetëruar se duhen paguar taksa dhe se me paratë që dalin prej tyre duhen financuar veprimtari dhe shërbime në të mirë të shoqërisë. Mes tyre, edhe veprimtaritë sportive të organizuara në formën e federatave. Por ne nuk kemi mësuar ende kulturën e transparencës që është themeli mbi të cilin është ndërtuar mirëqenia dhe mbarëvajtja e atyre shoqërive.

Detyra më urgjente e komunitetit sportiv është të mësojë këtë leksion, leksionin e transparencës dhe kjo detyrë, të jeni të sigurt, nuk është aspak e lehtë. Kjo nuk mund të arrihet me parimin “o Mete për vete”, porse duke kuptuar se bashkimi bën fuqinë.

Kërcënimi për bojkot i ekipit kombëtar të peshëngritjes është një ngjarje tipike në këtë tendencë për të pasur më shumë transparencë (madje për të pasur tërësisht transparencë) ku një grup sportistësh, janë ata që i japin kuptim këtij sporti dhe federatës përkatëse, dalin e thonë se po luhet me lekët e trajtimit të tyre ushqimor në një kohë që nga federata bëhen lista turistësh që duhet të udhëtojnë për në kampionatet europiane apo botërore.

Nuk mund të themi “a priori” se kanë të drejtë peshëngritësit apo ka të drejtë federata. Ne mund të themi me bindje se çështja që ngrenë peshëngritësit është tepër e rëndësishme dhe duhet analizuar me seriozitet deri në fund për të gjetur sesa të vërtetë ka në të.

Duke mos folur për Federatën Shqiptare të Peshëngritjes (FSHP) në veçanti, por duke kaluar në parim, ne jemi mësuar të dëgjojmë kaq shumë histori dhe legjenda urbane mbi korrupsionin nëpër federata, për trafiqet e vizave që dikur gëlonin dhe ndoshta gëlojnë edhe sot.

Ne të gjithë jemi të bindur se në një të ardhme të afër këto legjenda urbane do të na kthehen në të vërteta të pamohueshme, provë e korrupsionit dhe përvetësimit të lekut publik nga njerëz të caktuar që, në këtë mënyrë, kanë shkelur ligjet dhe djersën e shoqërisë të cilën pretendojnë se e ndihmojnë.

Dikur, menjëherë pas Lojrave Olimpike Pekin 2008, i tregoja Erkand Qerimajt për shoqatat e atletëve olimpistë në vendet e tjera, shoqata që mbronin të drejtat e sportistëve në mënyrë të organizuar. Trajneri i Erkandit, Zef Kovaçi, përmendi shoqatën e atletëve italianë, të quajtur “Të Kaltrit e Italisë” (Azzurri d’Italia), themeluar që më 1948 dhe që është oponencë dhe këshilltare e institucioneve sportive.

Ata bëjnë vizita nëpër shkolla për të edukuar fëmijët e të rinjtë, mbledhin fonde për anëtarët më në nevojë, lobojnë për të emërtuar rrugë, sheshe, zona dhe komplekse sportive sipas emrave të legjendave të sportit etj. etj.

Në Shqipëri një shoqatë e tillë nuk ekziston, thuajse as edhe mendimet më embrionale nuk i kemi. Një figurë që e ka menduar diçka të tillë është Hysen Domi, elbasanasi i famshëm, ish-deputet, ish-kryetar i bashkisë së Elbasani, dy herë president i Komitetit Olimpik (KOKSH), por tani ai e ka të zënë kohën e tij duke dhënë mësim në katedrat e Universitetit në qytetin e tij të lindjes.

Pushteti qendror dhe ai lokal nuk kanë asnjë këshillim, oponencë apo mbështetje për projekte, për pjesëmarrje të tyre në jetën sportive të vendit, ndryshe nga, p.sh. Italia, ku komunat subvencionojnë një pjesë të shpenzimeve për fëmijët në ekipet zinxhir dhe ruajnë si sytë e ballit apo shtojnë infrastrukturën.

Një ditë edhe në vendin tonë do të krijohet Shoqata e Kuqezinjve të Shqipërisë dhe veprimi i organizuar i ekipit kombëtar të peshëngritjes është një hap në këtë drejtim. Shtangistët nisën të kuptojnë se në momentin që ata luftojnë me krerët ka presione dhe kujtohen gabime të së kaluarës.

Sipas modelit “ha një lugë çorbë të prishur dhe vjell gjithë jetën”, dikujt prej tyre i është kujtuar një nder i bërë nga një deputet si favor ndaj titullarit të federatës. Kjo do t’i bëjë sportistët të kuptojnë se nuk mund të pranojnë çdo lloj nderi dhe nga kushdo dhe pa kushte, ndryshe do të përfundojnë të varur dhe të përdorur për gjithë jetën e tyre.

Problemi për krijimin e shoqatave të sportistëve është i mprehtë sepse për sportin ka takime, merren edhe vendime, por pa pasur aty një prani të vetë sportit. Kjo kërkon nga vetë sportistët një kulturë tjetër, një vetëpërmbajtje që ka munguar ndër ne, pasi ata duhet të kuptojnë se janë simbole për brezin e ri, një mision që i detyron të jenë më seriozë dhe më të pjekur.

Nga Bledar KUKA

Nëse ulesh paradite herët në kafe me ndonjë tiranas denbabaden, ose edhe me një banor prej dhjetëra vitesh të kryeqytetit mund të mësosh për fusha sportive që jo brezi i rritur pas 1990-ës, por edhe ai që e pati adoleshencën në vitet 80-të nuk e kanë idenë se kanë ekzistuar ndonjëherë.

Në vendin pranë markatës së vjetër të rrugës Bardhyl (ish-Rozafa) ka qenë një park sportiv, ai i Rajonit 2 (ndoshta nuk gaboj me numrin). Ish-portieri i Tiranës, Gut Tafaj, thotë se aty kishte fushë futbolli, fusha lojrash me dorë, fushë tenisi dhe një pishinë të vogël.

Sulejman Mema, një tjetër tiranas i vjetër të thotë se e ka nisur dashurinë me topin në fushën pranë rrugicës ku ka lindur, që sot njihet rrugica e çamëve (tregu çam). Fusha ka qenë mu tek vendi ku sot ngrihet ndërtesa e Ministrisë së Punës në rrugën e Kavajës.

Sipër rrugës së Elbasanit ka qenë parku sportiv Studenti, tek ish-shkolla e Partisë ka qenë klubi sportiv i vjetër i Partizanit, tek Shallvaret ka qenë fusha “zyrtare” e futbollit e kryeqytetit që në kohën e mbretërisë dhe aty afër kanë qenë fushat e tenisit ku ka luajtur i njohuri Sali Nallbani.

Sot gjithë këto mrekulli të natyrës nuk ekzistojnë më dhe në një pjesë të madhe (apo ndoshta të vogël) ky zhvillim mund të quhet i kuptueshëm për shkak të rritjes së kryeqytetit tonë të dashur.

Por, përveç viktimave të shumta të viteve pas 90-ës, është edhe një tjetër “Zonjë e Vjetër” që rrezikon të ndërrojë jetë dhe me shumë gjasa do ta pësojë këtë fat. Fjalën e kam për palestrën sportive të Universitetit të Tiranës, pranë Sheshit “Nënë Tereza”, në krahun ku është vendosur edhe Rektorati dhe, më tej, stadiumi kombëtar “Qemal Stafa”.

Palestra është e vjetër, aty brenda ka disa reklama të kompanive që sponsorizojnë ekipin e Studentit në volejboll për meshkuj, që drejtohet si trajner dhe si president nga Ylli Tomorri. Zoti Tomorri thotë se ekziston një marrëveshje “prej xhentëllmenësh” mes klubit Studenti dhe Universitetit që ekipi i tij e përdor atë palestër.

“Më vjen keq që rrezikon të zhduket kjo palestër, – thotë ai, – edhe sepse aty stërviten çdo ditë rreth 500 fëmijë apo të rinj të moshave të  ndryshme, por edhe sepse ajo ka vlera historike. Bëhet fjalë për sallën sportive të parë në Tiranë”. Kompleksi është ndërtuar që në kohën e pushtimit nga Italia fashiste, pra daton rreth 70 vjet më parë.

Në Rektoratin e Universitetit të pohojnë se palestrës po i vjen fundi, se ekziston një marrëveshje mes qeverisë dhe Universitetit dhe se pritet të jepen fondet që ndërtesa dhe hapësira të kthehen në funksion të Muzeumit të Shkencave të Natyrës, shtëpia e vjetër e të cilit, pranë 21 Dhjetorit në rrugën e Kavajës, do t’u jepet pronarëve.

Ervin Demo, drejtor i komunikimit në Rektoratin e Universitetit të Tiranës, e pranon problemin e mungesës së godinave në gjithë Universitetin. “Probleme ngushtice ka thuajse kudo, – thotë ai, – përsa i përket palestrës, dua t’ju sqaroj se në radhë të parë ajo godinë nuk është normalisht e jona, sepse nuk është hipotekuar si e tillë, pavarësisht nga autonomia që ka fituar Universiteti”.

Demo tregon sesi u mor vendimi i Këshillit të Ministrave lidhur me ndryshimin e destinacionit të godinës nga palestër në museum dhe sesi Universiteti thjesht arriti të bënte një kompromis. “Ishte krejt e mundshme që zëri ynë të mos dëgjohej fare, – thotë ai, – por e vërteta është se u arrit një marrëveshje, sipas së cilës, Universiteti mori kinoklubin e Qytetit Studenti dhe mjediset sportive pranë tij”.

Ai tregon një maket të kompjuterizuar të kampusit universitar që parashikohet të ndërtohet aty në një të ardhme të afërt dhe që, sipas tij, do të ishte një “shpagim” shumëfish për humbjen e palestrës. “Siç e shikoni në kompjuter, bëhet fjalë për kampus masiv, me mjedise të brendshme me shumë salla sportive dhe mjedise të jashtme me disa fusha futbolli, fusha tenisi, fusha lojrash me dorë etj. Në krahasim me këto, palestra ekzistuese është shumë e vogël dhe modeste”.

Por sipas mediave që kanë raportuar idenë e z. Dhori Kule në janar të këtij viti, kampusi në fjalë do të ketë vërtet një zonë sportive, por me një palestër (1 890 metra katrorë), fushë minifutbolli (600 metra katrorë), fushë tenisi (1 040 metra katrorë), fushë basketbolli (1 260 metra katrorë) dhe një pistë vrapimi (540 metra katrorë).

Po sipas mediave, pjesa sportive e kampusit do të jetë 13 150 metra katrorë, ndërsa gjithë kampusi do të zerë 32 536 metra katrorë. Zoti Kule theksoi, edhe ai, se për këtë kampus nuk do të ketë konflikt pronësie sepse është brenda zonës universitare të UT-së.

Sipas planeve të shtruara për publikun në janar, ndërtimi i kampusit duhej të fillonte këtë vit dhe të zgjaste 3 vjet, pra me afat mbarimi më 2012, ndërsa projekti do të arrinte në 23 milionë euro. “Kampusi studentor është zgjidhja afatgjatë, me standarde bashkëkohore të infrastrukturës”, – theksoi rektori Kule.

Gjithsesi, shumë njerëz të nderuar të sportit janë të shqetësuar se për objekte sportive, qoftë këta në pronësi të qeverisë apo në pronësi të universitetit, merren vendime ndërsa nuk ka konsultime me grupe të interesit që në këtë rast janë ata të sportit. Ylli Tomorri thekson se nuk ka shumë besim që kampusi do të përfundojë brenda afateve të dhëna, ndërsa shkatërrimi i palestrës është i afërt.

“A është menduar se ku do të stërviten gjithë ata fëmijë e të rinj që janë aty? – pyet Tomorri, – ne si Studenti nuk mund të kërkojmë zyrtarisht që kjo të ndalojë sepse palestra nuk është e jona, por shqetësimi ynë është i madh, ashtu si edhe shqetësimi i gjithë njerëzve të sportit”.

Vangjel Koja, trajneri legjendar i volejbollit të meshkujve, është i mendimit se shteti nuk duhet të jetë në këtë pozicion ku është sot, krejt i tërhequr nga roli i tij në sport. “Në çdo vend të botës shteti ndihmon sportin sepse është pjesë e politikës së tij shoqërore, – thotë ai, – vetëm këtu tek ne është problem. Në 20 vitet e fundit nuk është ndërtuar asnjë objekt sportiv, përkundrazi, edhe ata që kanë qenë, janë prishur”.

Ndër këta njerëz të sportit po përvijohet ideja për të reaguar lidhur me palestrën në fjalë, por edhe për çështjen e infrastrukturës në përgjithësi, si një defekt i madh i sportit në Shqipëri. Dikur, në një shkrim në revistën “Klan” për zhdukjen e skuadrave legjendare të lojrave me dorë të Partizanit dhe Dinamos, Arben Fagu thoshte se “shteti kudo investon për sportin”.

“Nuk bëhet fjalë vetëm për sportin sot, por edhe për nesër”, – thoshte ai dhe kujtonte se sporti është aktiviteti m i madh që zhvillojnë sot njerëzit në Europë me gati 60 për qind pjesëmarrje, se edhe vendet më të humbura të Afrikës kanë projekte për sportin, vetëm Shqipëria jo.

Astrit Greva, ish-trajneri i famshëm i Partizanit në basketboll për meshkuj, duke folur për të njëjtin shkrim, nuk shkonte as deri në Afrikë. “Shkoni në Maqedoni, – rrëfente ai, – tani vonë u inauguruan 18 salla për basketbollin, kurse ajo kryesorja në Shkup ishte 15 000 vendëshe, një përrallë, si arenat në Amerikë”.

Kreshnik Tartari, mjeshtri tjetër i volejbollit, tashmë i femrave, jo shumë kohë më parë e cilësonte të drejtën e fëmijëve për të  bërë sport si të drejtë njeriu. “Nëse ne nuk do të kemi klube sportive, si legjendat Partizani e Dinamo apo terrene sportive, ku do ta ushtrojnë fëmijët të drejtën e tyre si njerëz për të bërë sport”, – thoshte ai.

Në klubin shumësportësh Partizani, ditët e para të janarit 2010 sollën edhe një gëzim të vogël. Me ndërhyrjen e fortë të kryedrejtuesit të të kuqve, Mirjan Hakanit, Ministria e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve (MTKRS) çeli fondin prej 3.9 milionë lekësh (të reja) me të cilin do të “kavardisen” mbi 100 sportistë të këtij klubi për 365 ditët që i përkasin këtij viti.

Një pjesëtim i vogël nxjerr se secili sportist i të kuqve paguhet me 4 mijë lekë në muaj, ndërsa një trajner me 8 mijë. Një sportist i klubit, dikur krenari e sportit shqiptar, merr aq para sa ndahet për familjet në varfëri të plotë si ndihmë ekonomike. Gjithsesi, njëri nga të kuqtë, ish-volejbollisti dhe sot drejtues, Elton Stafa, thotë fjalën “shyqyr”, një turqizëm që ende nuk e kemi hequr nga fjalori i përditshëm. “Shyqyr” sepse fondi edhe mund të mos ishte çelur fare. Dinamo, p.sh., ka 4 vjet që nuk merr asnjë lek.

Dhimbja për dy shkollat e volejbollit kombëtar bëhet e padurueshme kur nis e numëron datat historike dhe të shkëlqyera që ekipet e këtyre dy klubeve kanë shënuar pikërisht gjatë këtij muaji në të cilin jemi, pra në janar.

Më 7 janar 1972, Dinamo e volejbollit të meshkujve, drejtuar nga Vangjel Koja, niste aventurën për t’u kualifikuar për në finalet e Kupës së Kampionëve të Europës. Blutë e shkëlqyer ishin Rusi, Lena, Terihati, Fagu, Tartari, Gjerazi, Starja, Beriolli, Take, Grimaku, Bijo. Dinamo mundi CSKA-në e Sofjes 3-2 dhe Rebelsin e Belgjikës 3-1, duke humbur vetëm nga holandezët e Amvy Deltalloyd, 0-3 në ndeshjen e parë.

Koja kujton sesi trajneri i CSKA-së habitej kur dëgjonte se shqiptarët kishin synim ta mposhtnin ekipin e tij, ndërsa këmbëngul se po të kishte pasur dy lojtarë të huaj elitarë, Dinamo do ta kishte pretenduar titullin europian. Më parë se të arrinte janarin, kampionia shqiptare kishte eleminuar kampionen greke, Panathinaikos në dhjetor 1971.

Ajo epope u mbyll me 3 humbje në katërshen finale, por jo pa luftë në ndeshjen e fundit ndaj Ruinit të Firences, kur Dinamo kryesoi 2-0 me sete, duke humbur thjesht nga mungesa e përvojës 2-3. Vangjel Koja thotë i qetë sot se “atëherë ne nuk dinim ta arrinim fitoren, edhe kur e kishim në dorë”.

Më 14 janar 1987, Dinamo e femrave fitoi bindshëm 3-0 në Zagreb ndaj Mlladostit vendas, për të hedhur hapin e parë drejt finaleve të Kupës së Kupave të Europës. 15-7, 15-7 dhe 15-12 ishin pikët e seteve të fituara nga Tase, Ibrahimi me shoqe. Më 21 janar 1987, vetëm një javë më pas, Dinamo plotësoi formalitetin duke fituar 3-1 në Tiranë dhe duke siguruar biletën finaliste. Atë biletë që e detyruan ta griste meqë në finale e priste një skuadër sovjetike. Moshkuarja në finale solli si “dhuratë” edhe një vit përjashtim nga Europa.

19 janari 1974 është e shënuar me të kuqe në kalendar. Partizani i Tiranës (volejboll meshkuj) eliminoi kampionen e Italisë Ruini të Firences, pas dy ndeshjeve tepër të forta dhe të nivelit më të lartë. Andon Kona, trajneri i paharruar i të kuqve, qe analitik pas fitores së parë 3-1 në Tiranë, në fillim të janarit. “Nuk jam i kënaqur me setet, – tha ai, pas fitores në takimin e parë për 1/8 e finaleve të Kupës së Kampionëve, –  ishim dobët në setin e tretë, sepse u lodhëm në dy të parët”.

Në Itali, Partizani humbi 2-3 në 19 janar dhe doli në çerekfinale. Sërish politika i preu rrugën sportit, sepse në atë nivel ekipi ynë do të ndeshej me CSKA-në e Moskës. Një “jo” e prerë frenoi gjithçka. Të paktën u mbajtën mend eleminimet e turqve të IETT-së (3-2, 3-2) dhe Ruinit. Emrat ishin Fagu, Rusi, Tomori, Borova, Macaj, Domi, Marjani, Stefani e të tjerë.

Andon Kona ishte njeriu që jo vetëm stërviste deri në manjakëri, por edhe kujdesej deri për uniformat e lojtarëve të tij. Vangjel Koja tregon sesi në një turne final të Kupës së Shqipërisë në Vlorë, këtu e 30 vjet më parë, e gjeti Andonin në banjën e hotelit duke larë fanellat e volejbollistëve, pasi ishin djersitur në ndeshjen e asaj dite. Ndeshja e ditës tjetër duhej t’i gjente të lara dhe të hekurosura. Kona nuk pati zgjidhje tjetër përveçse të bëhej vetë si një amvisë shtëpiake e qëmotit kur nuk kishte lavatriçe në shtëpitë shqiptare.

Gjithë ky pasion, nivel dhe përkushtim u shpërblyen me një hedhje në rrugë të Andon Konës më 1991 apo më 1992, në ndërrim të sistemeve, kur trajneri i famshëm u detyrua të improvizohej fotograf që të nxirrte bukën e gojës. Sot, 18-19 vjet të shkuara, legjendari Kona prehet në banesën e tij të fundit, ndërsa mallkimi duket se e ka zënë edhe volejbollin e kuq, që jeton grahmat, ndoshta, të fundit.

Më 25 janar 1990, Dinamo po e femrave arriti një tjetër cak tepër të rëndësishëm, katërshen finale të Kupës së Kampionëve të Europës, pas një ndeshjeje plot tension dhe në mes të krismave të armëve në Bukuresht të Rumanisë. Ishin ditët e revolucionit anti-Çaushesku, kur vajzat shqiptare i kthenin vizitën rumunevem, pasi kishin fituar 3-1 në Durrës.

Emocionet e Tartarit dhe vajzave të tij nuk mund të harrohen. Për to, trajneri është dhe do të jetë nostalgjik përsa kohë të ketë frymë. Ai kujton krismat e Bukureshtit, mikpritjen rumune, ankthin e madh edhe për ndeshjen, edhe për ruajtjen e kokës, takimin e luajtur në sallën e klubit të Dinamos së Bukureshtit, plot e përplot me tifozë si dhe pikën vendimtare që u shënua nga kapitenia rumune dhe u quajt e pavlefshme po prej saj, thjesht në një gjest ndershmërie të rrallë sportive.

Një rrëmujë e vërtetë me tifozët vendas që hynë në fushë për të festuar, Tartarin që protestoi për një prekje të rrjetës dhe kapitenen fisnike rumune që pranoi gabimin. Për fat, gjyqtari kryesor reagoi duke anulluar pikën. Pas kësaj, shqiptaret shënuan disa pikë aq sa mjaftonin për të shkuar në katërshen finale të Kupës së Kampionëve.

Kur Tartari flet për nostalgjinë e tij krejtësisht të justifikuar, kujtoj një intervistë të trajnerit malazez të Partizanirt të Beogradit në basketboll për meshkuj, të të famshmit Dushko Vujosheviç. “Dule” është njeriu që krijoi Partizanin e Divacit, Xhorxheviçit dhe Paspaljit në vitet 80-të, që doli kampion i Europës po me këtë ekip më 1992, kur bardhezinjtë kishin lojtarë 20-22 vjeçarë si dhe që e drejton këtë skuadër sërish, me largime të njëpasnjëshme të talenteve, kushte të vështira stërvitore dhe vonesa rrogash.

“Emocionet që më ka dhënë basketbolli, – shprehej ai për televizionin publik të Malit të Zi, – një njeri tjetër nuk do të mund t’i provojë edhe po të jetojë 10 herë”. Ashtu si shkarazi, përmendte se ai dhe lojtarët e tij kishin nja 3-4 muaj pa marrë rrogat. “Kriza”, – thoshte, por nga ana tjetër “crnobeli”-t pretendojnë të hyjnë mes 16 më të  mirëve të Europës.

Janari më kujtohet edhe ngaqë mbaj mend një titull të gazetës malazeze “Dan” që shkruhej: “Duke provuar të pamundurën”. Titulli ishte mbi kryet e një shkrimi që fliste për ndeshjen mes skuadrës së volejbollit të meshkujve, Budvanska Rivijera ndaj italianes së fuqishme, Kuneo në 1/4 e Kupës së CEV-it.

Kush është Budvanska Rivijera? Ekipi i Budvës së vogël ka një buxhet të fuqishëm të siguruar nga sponsori kryesor dhe disa sponsorë të tjerë.

Emri Budvanska Rivijera është i kompanisë turistike të atij qyteti. Kjo kompani, me 7 hotele dhe 400 punonjës të përhershëm, plit 400 punonjës sezonale, mendon se ekipi i volejbollit të qytetit dhe ai i vaterpolit janë një krenari e madhe që duhet të mbështeten. Për vaterpolin (që mban të njëjtin emër) kompania jep 500 000 euro në sezon dhe kjo skuadër arriti larg në Europë dhe në Ligën e Adriatikut.

Elton Stafa më kujton një histori të treguar nga Agim Fagu, kryetari i sotëm i Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar (KOKSH). Historia i përkiste periudhës kur Gimi i shquar ishte ambasador i Shqipërisë në Londër dhe ishte pak a shumë e tillë: Në kryeqytetin britanik ishte bërë problem i madh njëra prej lagjeve, ku kriminaliteti ishte rritur tej mase. Autoritetet morën masa të ashpra, deri me praninë e madhe të forcave të rendit, por nuk pati rezultat. Më në fund, dikush propozoi dy lëvizje, ndriçim të plotë të rrugëve e trotuareve dhe nxitjen e sporteve të ndryshëm. Këto masa dhanë rezultat.

Mali i Zi është shumë pranë, Londra ende tepër larg, por trajnerët Ylli Tomori dhe Vangjel Koja janë të lumtur edhe me malazezët. “Mali i Zi duhet të jetë fokusi ynë, synimi për ta arritur, – shprehet Tomori, – është njëlloj si në timonin e makinës, kur fokusohesh tek makina që ke përpara”. Tomori është i bindur se trajnerët shqiptarë e kanë të lehtë të shkojnë në Budva apo Podgoricë për të vëzhguar nga afër punën e trajnerëve malazezë dhe për “t’i vjedhur” zanatin.

“Por është problemi i stimujve, – vazhdon ai, – puna e trajnerit të volejbollit nuk të jep të ardhura të mira financiare, ndaj edhe është e kotë që trajnerët të shkojnë e të investojnë për veten në këtë drejtim”. M’u kujtua sërish rroga prej 8 mijë lekësh e trajnerëve të klubit Partizani …

Koja beson se një qendër stërvitore e ekipeve kombëtare do të bënte shumë punë. “Shkëmbimi i përvojës me Malin e Zi, për shembull, – thotë ai, – kërkon shpenzime të mëdha për akomodimin e ekipeve, por nëse ke një qendër të ekipeve kombëtare, këtë problem e ke të zgjidhur”. Në KOKSH, Fagu po e mendon këtë punën e qendrës së ekipeve kombëtare, por thotë se “duhet të përmirësohet situata politike, ndryshe është tepër e vështirë të flasësh për këto projekte”.

Leonard Tase, sekretari i Federatës Shqiptare të Volejbollit, e ka të qartë se çfarë po ndodh tek ne. “Ne jemi si një punishte që nxjerrim një prodhim të caktuar, pra lojtarë dhe lojë volejbolli, – thotë ai, – ky prodhim i yni nuk shitet, ne nuk na vjen njeri në pallatet e sportit. Vetëm nëse do të kemi një prodhim konkurrues, do t’ia dalim”.

Natyrisht, kur buxheti i FSHV-së është vetëm 60 000 euro në vit, ndëra ai i Federatës së Volejbollit të Azerbajxhanit arrin në 2 milionë euro vjetorë (pa përmendur Anglinë ku shkon në 5 milionë), pak gjë mund të bëhet. Nuk do të ishte keq që historia londineze e Agim Fagut t’i jepet për t’u lexuar drejtuesve qeveritarë dhe të pushtetit lokal, që këta të kuptonin më mirë rëndësinë që ka investimi në sport.

Është e kotë të justifikohemi sepse Azerbajxhani nuk ka mundësi kaq të mëdha në krahasim me Shqipërinë. Buxheti i qeverisë azere është vetëm 3 herë më i madh se buxheti i qeverisë shqiptare (sipas librit të CIA-s në internet), ndërsa kur vjen puna tek investimi në volejboll, ata janë 33 herë më lart se ne.

Pa interesim të shtetit, pa interesim të biznesit, pa para, sporti ynë është kthyer në një biznes të nivelit më të ulët ku trajnerët duhet të përfitojnë para në mënyra të pista nga sportistët për të siguruar një jetesë normale. Ky jetim i madh kujton me mallëngjim ditët e ftohta të janarit, aq të zjarrta nga fryma që dilte nga goja e mijëra tifozëve në pallatet e sportit, kur ata thërrisnin “Partizan, Partizan” apo “Dinamo, Dinamo” apo nga përplasja e furishme e shuplakave të tyre.

Nuk ka rëndësi se çfarë emri do të thirret në kor nga tifozët sot, le të jetë edhe emër i ndonjë kompanie që prodhon detergjentë apo veshje intime, mjaft që sërish pallatet tanë të sportit të mbushen edhe një herë dhe njerëzit të provojnë sërish ato emocione të jashtëzakonshme që di t’i japë vetëm sporti.

“Gërdalla e vjetër”, ai pallat sporti me emrin fisnik të Asllan Rusit, njeh gëzim njerëzor vetëm të dielave paradite kur në të mblidhen Dëshmitarët e Jehovait në takimet e tyre. Miku im Edmond Moja, ish-basketbollist i kuq dhe sot trajner i pasionuar me moshat e vogla, përplas pëllëmbën pas ballit dhe thotë: “Si ka mundësi që këta e mbushin pallatin, ndërsa ne jo”.

Bledar Kuka

Bledar KUKA

TIRANË – Fadil Vokrri ka qenë një nga ata lojtarë të rrallë, por që vlera e të cilëve nuk u kuptua mirë për sa kohë luajtën futboll. Sulmuesi i fortë dhe teknik i Labit të Podujevës (sot Vushtrri), i Prishtinës së famshme, Partizanit të Beogradit, Nimës apo Fenerbahçes i lumturoi aq shumë tifozët e ekipeve ku luajti, ndoshta edhe i mërziti kur largohej. Në Kosovë, ku sot është president i Federatës së Futbollit, e respektojnë mjaft, ndonëse jo pak presion pati më 1986 kur kaloi tek Partizani i Beogradit.

Por dy vlerësime të larta vijnë nga Kroacia dhe Serbia, dy republika që kanë dalë nga rrënojat e ish-Jugosllavisë së Titos. Disa muaj më parë, Zheljko Barishiç shkruante kështu në median elektronike, “poskok”: “Epoka postmoderne në Jugosllavi filloi kur Fadil Vokrri kaloi nga Prishtina tek Partizani i Beogradit”. Barishiç prek temën e ndarjes mes popujve të ish-republikës federative dhe Vokrri ishte një nga ata që ndërtoi një urë.

“Botët e ndara në të cilët jetojnë kombet e ish-Jugosllavisë, – shkruan kroati, – kanë të bëjnë me barrierat e pakapërcyeshme për çfarë do bashkëpunimi apo mirëkuptimi”. Dhe Barishiçi kujton saktë vitin 1986 kur Vokrri bëri rrugën Prishtinë-Beograd. “Në periudhën e acarimeve të mëdha mes serbëve dhe shqiptarëve në Kosovë, futbollisti i madh diti të përballonte presionin dhe të shfrytëzonte mundësinë që iu dha, – vazhdon ai, – për një shumë të respektueshme parash ai ndërroi bluzën e Prishtinës për atë bardhezi, pa dëgjuar paralajmërimet se kjo lëvizje do t’i kthehej për keq”.

Barishiçi e krahason shumë mirë figurën e Vokrrit me atë të Mirosllav “Çiro” Bllazheviçit, trajnerit të zhurmshëm kroat që drejtoi në Kroaci, Kosovë dhe tani në Bosnjë-Hercegovinë ku është trajner i përfaqësueses. “Emërimi i Çiros në krye të BH-së është një epokë postmoderne për Bosnjë-Hercegovinën, – shkruan ai, – veterani ka përvojë të madhe në paradigmat ballkanase dhe në kohën e tij ishte trajner i Prishtinës”.

Vokrri, më i miri

Nga Serbia, atë e kujtojnë Mirko Bogiçeviçi në “lexicon-yu-mitologije.net” si dhe Goran Tomiçi, që i thur një elegji. “Nuk kam ditur aq shumë për Vokrrin sa kohë luajti për Prishtinën, – shkruan Tomiçi, – më besoni, për 30 vjet kam qenë pranë Partizanit dhe gjatë asaj periudhe vërtet që mund të ketë pasur qendërsulmues të mirë. Por Vokrri thjesht ishte, këtë e them me bindje, MW i MIRI”.

Çfarë lojtari

“Kishte dribling të mirë, gjuajtje të saktë, i fortë ishte si çeliku, djersinte që të ishte sa më i vlefshëm për ekipin. E kishte shumë lehtë të pasonte tek shoku. Çfarë lojtari!”. Tomiçi kujton se në atë kohë, në kombëtaren jugosllave luante kroati i famshëm, Zllatko Vujoviç apo edhe maqedonasi Darko Pançev.

Më i mirë e Vujoviçi

“Zllatko dinte të shënonte gola, por nuk dinte ta mbante topin aq mirë sa Vokrri, po ashtu si Pançev. Këtyre të dyve duhej t’u krijoje rastin, ndërsa Vokrri ia krijonte vetë rastin vetes dhe të tjerëve. Më vjen keq vetëm që luajti aq pak për Partizanin dhe që ishte aq pak në krah me Milko Gjurovskin. Por të paktën t’u japim futbollistëve të duhur, vendin e duhur në histori. Nuk duhet të harrohen”.

Partizani e shiti për 50 000 marka

Një tjetër tifoz i Partizanit, i quajtur Sinisha, shkruan nga Stokholmi i Suedisë. “Jedino je Fadil Vokrri” (Nuk ka tjetër si Fadil Vokrri), – shprehet ai, – për të desha ta them diçka. Ai formoi fëmijërinë time, kur shkonim në stadium që 7 vjeç, mes borës dhe dimrit”. Sinisha mban mend një gol që Fadili e shënoi personalisht vetë. “Me gjunjët plot baltë nga rrëzimet, e merr topin dhe mbrojtësit mbeten prapa, njërin e mban në shpinë, ndërsa tjetrin e shtyn me dorën e lirë … dhe në fund gol, vëlla. Dhe Vokrri nga gëzimi nuk di nga të shkojë më parë, por vetëm mban dorën lart nga qielli”. “Më pas Partizani e shiti për 50 000 marka. Ej, bre. Çfarë lojtari. Duhej të kishin qenë bashkë, ai dhe Milko (Gjurovski). Do të kishte qenë poezi”.

Prishtina, më shumë tifozë se Kroacia e Bosnja së bashku

Në vitet 80-të, Prishtina pati një skuadër cilësore me lojtarë të shkëlqyer si Vokrri, Shala, Cana,Domi, Rama, Krasniqi, Sinani, Rugova, Murriqi apo Batroviç si dhe të tjerë. Duke iu referuar Zheljko Barishiçit të “poskok”-ut, por edhe me atë që vetë njerëzit mbajnë mend, stadiumi prishtinas ishte gjithnjë plot kur luante skuadra e zemrës. “Ishte çmenduri të shikoje skuadrën kosovare të kategorisë së parë sesi luante në një stadium plot e përplot. Prishtina e asaj kohe ka pasur më shumë shikues sesa mesatarisht liga kroate dhe boshnjake-hercegovinase së bashku”.

Nuk di sesa fonde shpenzoheshin për sportin në periudhën e diktaturës, por mbahet mend një shprehje e Petrit Dumes, që thoshte se “më mirë lini një apo dy tanke pa marrë për ushtrinë, mjafton që të kemi bazë materiale për sportin apo të ndërtojmë pallatin e sportit në Tiranë”. Sot ne nuk mund të vendosim që të lemë një apo dy tanke pa marrë, sepse nuk po mendon më kush për ta, veçse thelbi i çështjes mbetet i njëjtë: nga ana shtetërore sporti kërkon një investim të caktuar dhe ky investim është në përpjestim me buxhetet në dispozicion, po ashtu si edhe me transparencën në përdorimin e fondeve dhe vullnetin e mirë për t’i hedhur në arkën e sportit.

Kur vjen puna tek buxhetet, sikur mbetemi pak si keq. Tirana sot ka zyrtarisht rreth 620 mijë banorë (616 mijë sipas regjistrimit të fundit, ndoshta më 2008). Po ta krahasosh me disa kryeqytete rrotull nesh, kryevendi i Shqipërisë nuk ka ndonjë diferencë të madhe. Për shembull, Zagrebi i Kroacisë ka 786 mijë banorë, sipas statistikave të 2008-ës, ndërsa Beogradi i Serbisë arrin në diçka më shumë se 1.7 milionë. Raporti është thuajse 1 me 1 me Zagrebin dhe më pak se një me tre me Beogradin, por buxhetet nuk na korrespondojnë.

Zyrtarisht, Tirana e 2009-ës pati një buxhet vjetor prej 60 apo 70 milionë eurosh. Po të shikosh faqen zyrtare të qytetit të Zagrebit, merr vesh se më 2008 apo 2009, buxheti i tij ishte rreth 1 miliard euro. Raporti është 1 me 15 apo 17. Beogradi kishte një buxhet vjetor prej 700 apo 800 milionë eurosh, sipas citimeve në mediat serbe dhe raporti me Tiranën i bie të jetë 1 me 10 apo 13.

Kjo diferencë detyron që edhe diferenca në investimin qytetës për sportin të jetë e tmerrshme. Zagrebi hedh për sportin në një vit jo më pak se 220 milionë kuna, që bëjnë rreth 70 milionë euro, pra diçka më shumë sesa bashkia e Tiranës ka buxhetin e saj vjetor. Sipas informacionit zyrtar në faqen e bashkisë sonë kryeqytetase, fondet e parashikuara më 2009 për sportin arrinin në 48.041 milionë lekë të reja, pra jo shumë mbi 400 000 euro, madje me kursin e  tanishëm të euros, i bie mjaft më poshtë se 400 000.

Nuk di të saktë sesa investon në sport Beogradi, por logjika ta do se diferenca me Tiranën duhet të jetë shumë, shumë e madhe. Duke u hedhur edhe një herë në Kroaci, shikojmë se edhe qytete relativisht të vegjël kanë buxhete të rëndësishëm krahasuar me ata të qyteteve shqiptarë. Kështu, Rijeka ka vetëm 144 043 banorë, por buxheti i saj shkon mbi 100 milionë euro. Një qytet i vogël fare si Pula (62 080 banorë) ka një buxhet prej mbi 70 milionë eurosh, nga i cili sporti, natyrshëm, merr një pjesë të rëndësishme.

Në një shkrim të para disa javëve në “Sport Ekspres” citoja mediat boshnjake që shkruanin për investimet sportive të parashikuara në Sarajevën e Re. Sipas kryetarit të atij rajoni, Nexhat Kolxho, ishin planifikuar për t’u shpenzuar vetëm në vitin e kaluar 6 milionë marka të konvertueshme (3 milionë euro) dhe ishin përcaktuar drejtimet në të cilat do të bëhej ky shpenzim: rigjenerimi e 4 ambienteve sportive dhe ndërtimi i dy ambienteve të tjera si dhe pishinave të notit.

Po ashtu, shtypi sarajevas lajmëronte se pranë stadiumit të Zheljezniçarit do të ndërtohet një pallat sporti, për të cilin deri në fund të 2010-ës do të shpenzohen 7 milionë marka konvertibile (3.5 milionë euro).

Po ashtu, për efekt të mundësive buxhetore, komunat italiane subvencionojnë në ekipet zinxhir të futbollit apo të sporteve të tjerë, duke ia lehtësuar pa masë barrën familjeve të vendit fqinj me ne. E kam shkruar se në Itali një familje nuk do të paguante më shumë se 180 euro në vit për fëmijën që do të merrej me futboll, ndërsa në Shqipëri pagesa shkon nga 35 000 lekë të reja deri në 50 000.

Nuk po diskutojmë diferencën në aftësitë profesionale të trajnerëve apo në cilësitë e terreneve ku stërviten fëmijët italiane, pajisjen e tyre me gjithë lehtësitë e nevojshme për një ndjekje normale të futbollit. Bëhet fjalë për dushe, salla zhveshjeje e të tjera si këto.

Nëse Tirana do të ndodhej, bie fjala në Kroaci apo edhe në Serbinë më pak të zhvilluar, vlera e kryeqytetit tonë të dashur do të ishte shumë më e madhe. Me 616 mijë banorë, kryeqyteti është një qendër e rëndësishme banimi, por arrin t’i sigurojë bashkisë së vet shumë pak buxhet, një “thërrime” krahasuar me të tillë si Zagrebi apo Beogradi.

Nuk kam folur ende me ndonjë ekspert taksash, për të mësuar sesa është mundësia reale e bizneseve të vegjël, të mesëm e të mëdhenj në Tiranë dhe sesa prej kësaj vilet e shkon në arkat bashkiake. Jam i bindur se një pjesë e mirë e bizneseve i shmangen detyrimeve taksore, ndërsa nga ana tjetër nuk besoj se politikat e ndjekura janë të tilla që t’i nxisin këto biznese që të lulëzojnë dhe të ndjejnë detyrimin për të qenë të ndershëm ndaj shtetit nën të cilin punojnë dhe jetojnë.

Me pak fjalë, tregu është mjaft i mbyllur, konkurrenca jo aty ku duhet, shmangia nga detyrimet, rrjedhimisht, më e madhe dhe aftësia për të krijuar një buxhet real shumë më e vogël. Kjo gjendje ngjan jo pak me atë të OSSH-së (KESH-it të mëparshëm) që nuk mund të thotë se i mbledh të gjitha detyrimet e qytetarëve ndaj saj, apo edhe të Ndërmarrjes së Ujësjellësit.

Edhe nëse pushteti ynë lokal do të ishte aq në gjendje sa të mblidhte financat reale që biznesi i detyrohet atij, sërish pjesa që do të shpenzohej për sportin, do të ishte gjithsesi e vogël. Me mungesat e tmerrshme nëpër lagjet kryeqytetase që lidhen me furnizimet me ujë, me infrastrukturën më të nevojshme jetësore, vërtet që për sportin do të mbetej pak.

Meqë zhvillimi i sportit është edhe i lidhur direkt me investimet në të, atëherë e ardhmja për sportin tiranas dhe, logjikisht, për gjithë sportin shqiptar, duket tepër e errët, gjithnjë në raport me dëshirat dhe ëndrrat e dashamirësve sportivë.

Duke iu kthyer pak Petrit Dumes, mund të thuhet se ai qe Petrit Dume i diktaturës, në ditë të mirë e të keqe, por Petrit Dumet e sotëm i kemi gjithashtu shumë të paktë dhe, për fat të keq, më të prapambetur në koncept. Sepse vazhdimisht mendohet të ujiten degët dhe gjethet dhe shumë pak rrënjët, që do të thotë se pushtetet tanë lokalë mbeten të fiksuar pas ekipeve të të rriturve, duke harruar apo mos dashur të kuptojnë se pa ekipe zinxhir, pa infrastrukturën e duhur, ekipet e parë nuk do të mund të jenë kurrë aq të mirë sa dëshirohet.

Këtu pranë fundit të shkrimit le të japim nja dy krahasime me volejbollin në Britaninë e Madhe dhe Azerbajxhan si dhe me volejbollin dhe vaterpolin në Mal të Zi. Shteti azer, i dalë në të njëjtën kohë nga i njëjti sistem totalitar si ai shqiptar, jep 2 milionë euro në vit për volejbollin, kundrejt 60 mijë eurove që jepen tek ne, ndonëse buxheti azer është vetëm 3 herë më i madh se ai shqiptar.

Shifrën e 2 milionë eurove e tregon trajneri i ekipit tonë kombëtar të meshkujve, Ylli Tomorri, pasi kuqezinjtë shkuan dhe fituan 3-0 në qytetin Guba të Azerbajxhanit ndaj kombëtares vendase për eleminatoret e kampionatit botëror. Nëse bën një llogari të thjeshtë i bie që Azerbajxhani me buxhet vetëm 3 herë më të madh e Shqipëria jep 33 herë më shumë për volejbollin sesa qeveria shqiptare. Besoj se nuk ka nevojë për koment.

Në Britani, shteti jep këto kohë 5 milionë euro në vit për volejbollin. Natyrshëm, nuk mund të mendohet që të krahasohemi me këtë vend të pasur dhe të fuqishëm që, për më tepër, përgatitet edhe për Lojrat Olimpike të vitit 2012 dhe dëshiron të përfaqësohet sa më mirë edhe në volejboll. Gjithsesi, diferenca është tepër e madhe, gati 100 me një. Nuk mendoj se dallimi ekonomik i Shqipërisë, qoftë edhe me Britaninë e madhe të fuqishme është 100 me një.

Së fundi, Mali i Zi. Me një politikë krejt tjetër shtetërore dhe koncepte mjaft më të  mira të privatëve, Mali i Zi i siguron skuadrave të saj të vaterpolit dhe volejbollit buxhete të rëndësishëm që arrijnë deri në 500 000 euro në sezon dhe bëhet fjalë për sporte shumë më pak të kushtueshëm sesa futbolli. Kompani publike dhe private sponsorizojnë duke i bërë reklamë vendit të tyre dhe sporti ia ka shpërblyer madje me tepri, duke arritur suksese të mëdha për një vend me vetëm 600 000 banorë.

Bledar Kuka

Nuk di sesa fonde shpenzoheshin për sportin në periudhën e diktaturës, por mbahet mend një shprehje e Petrit Dumes, që thoshte se “më mirë lini një apo dy tanke pa marrë për ushtrinë, mjafton që të kemi bazë materiale për sportin apo të ndërtojmë pallatin e sportit në Tiranë”. Sot ne nuk mund të vendosim që të lemë një apo dy tanke pa marrë, sepse nuk po mendon më kush për ta, veçse thelbi i çështjes mbetet i njëjtë: nga ana shtetërore sporti kërkon një investim të caktuar dhe ky investim është në përpjestim me buxhetet në dispozicion, po ashtu si edhe me transparencën në përdorimin e fondeve dhe vullnetin e mirë për t’i hedhur në arkën e sportit.

Kur vjen puna tek buxhetet, sikur mbetemi pak si keq. Tirana sot ka zyrtarisht rreth 620 mijë banorë (616 mijë sipas regjistrimit të fundit, ndoshta më 2008). Po ta krahasosh me disa kryeqytete rrotull nesh, kryevendi i Shqipërisë nuk ka ndonjë diferencë të madhe. Për shembull, Zagrebi i Kroacisë ka 786 mijë banorë, sipas statistikave të 2008-ës, ndërsa Beogradi i Serbisë arrin në diçka më shumë se 1.7 milionë. Raporti është thuajse 1 me 1 me Zagrebin dhe më pak se një me tre me Beogradin, por buxhetet nuk na korrespondojnë.

Zyrtarisht, Tirana e 2009-ës pati një buxhet vjetor prej 60 apo 70 milionë eurosh. Po të shikosh faqen zyrtare të qytetit të Zagrebit, merr vesh se më 2008 apo 2009, buxheti i tij ishte rreth 1 miliard euro. Raporti është 1 me 15 apo 17. Beogradi kishte një buxhet vjetor prej 700 apo 800 milionë eurosh, sipas citimeve në mediat serbe dhe raporti me Tiranën i bie të jetë 1 me 10 apo 13.

Kjo diferencë detyron që edhe diferenca në investimin qytetës për sportin të jetë e tmerrshme. Zagrebi hedh për sportin në një vit jo më pak se 220 milionë kuna, që bëjnë rreth 70 milionë euro, pra diçka më shumë sesa bashkia e Tiranës ka buxhetin e saj vjetor. Sipas informacionit zyrtar në faqen e bashkisë sonë kryeqytetase, fondet e parashikuara më 2009 për sportin arrinin në 48.041 milionë lekë të reja, pra jo shumë mbi 400 000 euro, madje me kursin e  tanishëm të euros, i bie mjaft më poshtë se 400 000.

Nuk di të saktë sesa investon në sport Beogradi, por logjika ta do se diferenca me Tiranën duhet të jetë shumë, shumë e madhe. Duke u hedhur edhe një herë në Kroaci, shikojmë se edhe qytete relativisht të vegjël kanë buxhete të rëndësishëm krahasuar me ata të qyteteve shqiptarë. Kështu, Rijeka ka vetëm 144 043 banorë, por buxheti i saj shkon mbi 100 milionë euro. Një qytet i vogël fare si Pula (62 080 banorë) ka një buxhet prej mbi 70 milionë eurosh, nga i cili sporti, natyrshëm, merr një pjesë të rëndësishme.

Në një shkrim të para disa javëve në “Sport Ekspres” citoja mediat boshnjake që shkruanin për investimet sportive të parashikuara në Sarajevën e Re. Sipas kryetarit të atij rajoni, Nexhat Kolxho, ishin planifikuar për t’u shpenzuar vetëm në vitin e kaluar 6 milionë marka të konvertueshme (3 milionë euro) dhe ishin përcaktuar drejtimet në të cilat do të bëhej ky shpenzim: rigjenerimi e 4 ambienteve sportive dhe ndërtimi i dy ambienteve të tjera si dhe pishinave të notit.

Po ashtu, shtypi sarajevas lajmëronte se pranë stadiumit të Zheljezniçarit do të ndërtohet një pallat sporti, për të cilin deri në fund të 2010-ës do të shpenzohen 7 milionë marka konvertibile (3.5 milionë euro).

Po ashtu, për efekt të mundësive buxhetore, komunat italiane subvencionojnë në ekipet zinxhir të futbollit apo të sporteve të tjerë, duke ia lehtësuar pa masë barrën familjeve të vendit fqinj me ne. E kam shkruar se në Itali një familje nuk do të paguante më shumë se 180 euro në vit për fëmijën që do të merrej me futboll, ndërsa në Shqipëri pagesa shkon nga 35 000 lekë të reja deri në 50 000.

Nuk po diskutojmë diferencën në aftësitë profesionale të trajnerëve apo në cilësitë e terreneve ku stërviten fëmijët italiane, pajisjen e tyre me gjithë lehtësitë e nevojshme për një ndjekje normale të futbollit. Bëhet fjalë për dushe, salla zhveshjeje e të tjera si këto.

Nëse Tirana do të ndodhej, bie fjala në Kroaci apo edhe në Serbinë më pak të zhvilluar, vlera e kryeqytetit tonë të dashur do të ishte shumë më e madhe. Me 616 mijë banorë, kryeqyteti është një qendër e rëndësishme banimi, por arrin t’i sigurojë bashkisë së vet shumë pak buxhet, një “thërrime” krahasuar me të tillë si Zagrebi apo Beogradi.

Nuk kam folur ende me ndonjë ekspert taksash, për të mësuar sesa është mundësia reale e bizneseve të vegjël, të mesëm e të mëdhenj në Tiranë dhe sesa prej kësaj vilet e shkon në arkat bashkiake. Jam i bindur se një pjesë e mirë e bizneseve i shmangen detyrimeve taksore, ndërsa nga ana tjetër nuk besoj se politikat e ndjekura janë të tilla që t’i nxisin këto biznese që të lulëzojnë dhe të ndjejnë detyrimin për të qenë të ndershëm ndaj shtetit nën të cilin punojnë dhe jetojnë.

Me pak fjalë, tregu është mjaft i mbyllur, konkurrenca jo aty ku duhet, shmangia nga detyrimet, rrjedhimisht, më e madhe dhe aftësia për të krijuar një buxhet real shumë më e vogël. Kjo gjendje ngjan jo pak me atë të OSSH-së (KESH-it të mëparshëm) që nuk mund të thotë se i mbledh të gjitha detyrimet e qytetarëve ndaj saj, apo edhe të Ndërmarrjes së Ujësjellësit.

Edhe nëse pushteti ynë lokal do të ishte aq në gjendje sa të mblidhte financat reale që biznesi i detyrohet atij, sërish pjesa që do të shpenzohej për sportin, do të ishte gjithsesi e vogël. Me mungesat e tmerrshme nëpër lagjet kryeqytetase që lidhen me furnizimet me ujë, me infrastrukturën më të nevojshme jetësore, vërtet që për sportin do të mbetej pak.

Meqë zhvillimi i sportit është edhe i lidhur direkt me investimet në të, atëherë e ardhmja për sportin tiranas dhe, logjikisht, për gjithë sportin shqiptar, duket tepër e errët, gjithnjë në raport me dëshirat dhe ëndrrat e dashamirësve sportivë.

Duke iu kthyer pak Petrit Dumes, mund të thuhet se ai qe Petrit Dume i diktaturës, në ditë të mirë e të keqe, por Petrit Dumet e sotëm i kemi gjithashtu shumë të paktë dhe, për fat të keq, më të prapambetur në koncept. Sepse vazhdimisht mendohet të ujiten degët dhe gjethet dhe shumë pak rrënjët, që do të thotë se pushtetet tanë lokalë mbeten të fiksuar pas ekipeve të të rriturve, duke harruar apo mos dashur të kuptojnë se pa ekipe zinxhir, pa infrastrukturën e duhur, ekipet e parë nuk do të mund të jenë kurrë aq të mirë sa dëshirohet.

Këtu pranë fundit të shkrimit le të japim nja dy krahasime me volejbollin në Britaninë e Madhe dhe Azerbajxhan si dhe me volejbollin dhe vaterpolin në Mal të Zi. Shteti azer, i dalë në të njëjtën kohë nga i njëjti sistem totalitar si ai shqiptar, jep 2 milionë euro në vit për volejbollin, kundrejt 60 mijë eurove që jepen tek ne, ndonëse buxheti azer është vetëm 3 herë më i madh se ai shqiptar.

Shifrën e 2 milionë eurove e tregon trajneri i ekipit tonë kombëtar të meshkujve, Ylli Tomorri, pasi kuqezinjtë shkuan dhe fituan 3-0 në qytetin Guba të Azerbajxhanit ndaj kombëtares vendase për eleminatoret e kampionatit botëror. Nëse bën një llogari të thjeshtë i bie që Azerbajxhani me buxhet vetëm 3 herë më të madh e Shqipëria jep 33 herë më shumë për volejbollin sesa qeveria shqiptare. Besoj se nuk ka nevojë për koment.

Në Britani, shteti jep këto kohë 5 milionë euro në vit për volejbollin. Natyrshëm, nuk mund të mendohet që të krahasohemi me këtë vend të pasur dhe të fuqishëm që, për më tepër, përgatitet edhe për Lojrat Olimpike të vitit 2012 dhe dëshiron të përfaqësohet sa më mirë edhe në volejboll. Gjithsesi, diferenca është tepër e madhe, gati 100 me një. Nuk mendoj se dallimi ekonomik i Shqipërisë, qoftë edhe me Britaninë e madhe të fuqishme është 100 me një.

Së fundi, Mali i Zi. Me një politikë krejt tjetër shtetërore dhe koncepte mjaft më të  mira të privatëve, Mali i Zi i siguron skuadrave të saj të vaterpolit dhe volejbollit buxhete të rëndësishëm që arrijnë deri në 500 000 euro në sezon dhe bëhet fjalë për sporte shumë më pak të kushtueshëm sesa futbolli. Kompani publike dhe private sponsorizojnë duke i bërë reklamë vendit të tyre dhe sporti ia ka shpërblyer madje me tepri, duke arritur suksese të mëdha për një vend me vetëm 600 000 banorë.

Bledar Kuka

Nga Bledar KUKA

Të mërkurën e 19 janarit 2005, katër gjyqtarë gjermanë të quajtur Frëlih (Froelich), Grefe (Graefe), Blumenshtajn (Blumenstein) dhe Cvejer (Zwayer) dërguan një letër në zyrat e Federatës Gjermane të Futbollit (DFB). Më 25 janar, një ditë e martë, ata dolën para shtypit. “Në bazë të informacionit që kishim dhe pas komenteve të Hojcerit për kolegun e tij Cvejer, e ndjemë si nevojë urgjente të bëhej një hetim për të penguar që të bëhej dëm më i madh për futbollin gjerman”.

Fjala është për skandalin e madh që tronditi Gjermaninë dhe që u lidh me emrin e gjyqtarit të futbollit, Robert Hojcer (Hoyzer). “Sidoqoftë ne nuk bëmë akuza për Hojcerin, por vetëm diskutuam sjelljen e tij”, – deklaruan më pas ata të katër. Mëkatari kishte marrë 50 000 euro për 3 ndeshje të manipuluara prej tij.

Shqipëria jonë, është fakt, që nuk ka një histori të tillë. S’ka ndodhur që ndonjë gjyqtar të akuzojë ndonjë koleg të tij për korrupsion dhe manipulim I shtyrë nga ndërgjegja që të mos lejojë të bëhet dëm më I madh në futbollin shqiptar. Bravo I qoftë, do të thoshte shumica tradicionale e këtij vendi. Turp të bëhesh spiun. Në Gjermani këtë spiunim e quajnë detyrë shtetërore, qytetare, shoqërore.

Ndoshta nuk ka në vendin e 95-të më të korruptuar në botë për be një rast të tillë. Ndoshta, ndryshe nga Gjermania tejet e pastër, apo edhe Finlanda, vendi më pak I korruptuar I botës më 2006 (I 6-ti më 2009), në Shqipëri gjyqtarët e futbollit  të dërgojnë në djall nëse I ofron para për të manipuluar një ndeshje. Të më falni, por kjo është shaka për ariun, jo njeriun.

Në Gjermani, një gjyqtar merr mbi 3 000 euro për ndeshje të Bundesligës dhe mbi 1 500 për Bundesligën e dytë. Në Shqipëri, një ndeshje e Superligës I jep gjyqtarit 200 euro. Robert Hojcer u shit për 50 000 euro në 3 ndeshje, pra për 16 700 euro për ndeshje. Sipas rregullit të treshit, që një gjyqtar shqiptar të shitej do të mjaftonin 1 100 euro.

Thuhet se presidenti I Besës së Kavajës, Nexhat Bizhdili, ka lëshuar një batutë sipas së cilës “gjyqtarët janë “malli” më I vlerësuar në tregun e futbollit të Shqipërisë”. Gojët e liga thonë se një ndeshje e rëndësishme manipulohet deri për 300 000 lekë të reja, pra për 2 000 euro. Bravo Xhati, I ke rënë më të. Gjyqtari shqiptar, sipas kësaj llogarie, e vlerëson veten edhe më lart se Hojceri.

Finlanda, vendi më pak i korruptuar i botës, dyshoi dhe hetoi raste të manipulimit të ndeshjeve në futbollin e saj më 2005. Të tjerë, Italia, Belgjika, Gjermania nuk mbetën prapa, ndërsa bënë bujë rastet e garave me kuaj në Angli apo të kriketit në Pakistan. Shqipëria, vendi I 95-të më I korruptuar I botës, mbetet e qetë duke mos pasur asnjë rast hetimi të tillë.

“Në prokurori duhet bërë një kallëzim, – kërkon të tregojë rrugën avokati Dorian Matlia, juristi kryesor sot në gjyqin e Gërdecit, – prokurori që krijon dosjen dhe çështjen I kërkon oficerit të policisë që të hetojë, të kryejë një infiltrim, përgjim apo gjëra të kësaj natyre”. Ky oficer mund të jetë I policisë gjyqësore, apo I asaj kriminale dhe kjo varet nga rasti apo prokurori ku bëhet denoncimi, por një oficer policie gjyqësore ndodhet gjithnjë pranë një prokurori. Kur vjen puna për përgjime e të tjera masa të kësaj natyre mund të kërkohet edhe një vendim gjykate. Kjo është rruga.

Finlanda është në ballë. Në dhjetor 2005, media nisi e para luftën kundër manipulimeve të dyshuara në kampionat dhe Federata Finlandeze e Futbollit si dhe Liga Profesioniste reaguan.

Gazeta “Ilta-Sanomat” “hapi lojën” dhe dy organizmat dolën me deklaratë të përbashkët se “nuk kemi arsye të dyshojmë mbi lajmet e botuara dhe do bëjmë gjithçka që kemi në dorë”. Federata trokiti në derë të prokurorisë dhe të policisë për ndihmë për dyshimet që ishin për sezonin 2004-2005. Një lojtar finlandez, mesatarisht merr vetëm 17 000 euro në vit dhe persona të caktuar paguajnë shuma të mëdha për manipulim ndeshjesh.

Qeveria finlandeze bëri veprime konkrete. Ministri I Brendshëm, Rajameki kallëzoi në Byronë Kombëtare të Hetimeve, kompaninë e basteve të liçencuar nga autoritetet në ishujt Elend,duke e quajtur këtë si “veprimin më të butë që mund të bëhej”.

Pika e dytë domethënëse në rastin Hojcer ishte reagimi I vetë personazhit kryesor kur historia, ende e paprovuar ligjërisht, bëri rrugë në masmedia. Prindi Robert Hojcer tha I shqetësuar se fëmijët e tij nuk mund të shkonin më në shkollë sepse shokët e shoqet e klasës nuk pranonin më në shoqërinë e tyre “fëmijën e një prindi të korruptuar”.

Hojceri u pendua për atë që kishte bërë më shumë për vuajtjen e fëmijëve të tij sesa për dënimin që mori (2.5 vjet burg) dhe kjo është normale për çdo njeri që ka fëmijë të tijët. Në Shqipëri vështirë se shumica e shokëve dhe shoqeve të klasës do t’I bënin “segregacion” djalit apo vajzës së një të korruptuari. Më shumë janë gjasat që t’I thonë me zili dhe admirim “lum si ti, do të të blejë babi celular Nokia të prodhimit të fundit”.

Në fund të fundit gjithçka varet nga mënyra sesi kërkon ta jetosh jetën. Ashtu siç do dhe mendon shumica, ashtu edhe bëhet. Nëse në vendin tonë shumica nuk do të donte të bashkëjetonte me histori të tilla të ndyra korruptive, sa shumë më e thjeshtë do të ishte atëherë.

Dikur, Xhovani Falkone e quante Siçilinw njw “terra infidelium” pwr mwnyrwn sesi korrupsioni e krimi mbroheshin e toleroheshin aty dhe sesi punonjwsit e shtetit vetmoheshin e deri vriteshin. Ai dhe shumw tw tjerw ishin heronjtw e Siçilisw. Shqipëria është një “terra infidelium” ende shterpë në lindjen e heronjve të saj. Turp të bëhesh spiun, do të thoshte shumica konservatore dhe tradicionale e jona. Vazhdoni me Lexim »

Elis Bakaj mund të transferohet jashtë vendit, ndoshta për 600.000 euro, apo edhe më shumë. Edin Xheko e kapërceu kufirin e Bosnjë-Hercegovinës vetëm për 50.000. Bakaj mendon se destinacioni I tij do të jetë Gjermania, kurse 19-vjeçari I atëhershëm I Zheljezniçarit shkoi në klubin tepër modest çek, Teplice, madje kaloi edhe stazhin në kategorinë e dytë.

U huazua në klubin e vogël Usti nad Labem më 2005 dhe po më 2005 deri më 2007 luajti në Teplice. Shumë nga lojtarët shqiptarë, që më 2007 luanin në klube dhe liga shumë më të rëndësishme se sa ai, as nuk do ta përfillnin në atë kohë.

Ylli I padiskutueshëm e pwrfaqwsueses së Bosnjë-Hercegovinës dhe I Bundesligës, kërkuar nga Mançester Junajtid, Milan e Juventus, ka kaluar një fëmijëri shumë më të keqe se cilido prej futbollistëve shqiptarë, që prej përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.

I lindur në Sarajevë më 1986, ai ishte tepwr I brishtw kur lufta e tmerrshme pllakosi mbi republikën e bukur multietnike ish-jugosllave. “Isha vetëm 6 vjeç, – kujton ai sot për mediat kroate, – nuk kisha ç’të haja, rrallë e kam mbushur stomakun”. Edini I vogël detyrohej çdo ditë të fshihej nga snajperët dhe shpërthimi I predhave. “Në Bosnjë, ato vite ishte gjithnjë kohë për të vdekur”, pohon.

Jo. Në Shqipëri këtë nuk e ka pasur kush për fat. As Indrit Fortuzi, Redi Jupi, si dhe as Jahmir Hyka dhe Elis Bakaj.

Ai qante. Ylli I mrekullueshëm I Volfsburgut, që shkëlqen nëpër posterët dhe reklamat e Ligës së Kampionëve, jetonte fëmijërinë më fatkeqe që mund t’I qëllojë një fëmije. Siç e thotë kënga madhështore, tronditëse e trishtuese e Dino Merlinit, “sonte, kur stuhia e ushtrisë godet pa lajmëruar mbi qytet, ti nuk mund të jesh e bukur, sepse as unë nuk jam më I ri”.

Për fat, Edini është I ri dhe gjithë jetën e ka përpara për ta shijuar.

Çfarë lidhje ka Edin Xheko me Shqipërinë? Gjithkush në këtë vend mund ta kuptojë historinë e tij, ashtu si atë të Hasan Salihamixhiçit, që u arratis poshtë trenit dhe mrekulloi Gjermaninë tek Hamburgu e Bajerni.

Gjithsecili shqiptar mund ta jetojë si të vetën atë histori, nëse mëson se Edini u stërvit në aneksin e stadiumit të rrënuar “Grbavica”, tribunat e të cilit qëlluan në frontin e luftës dhe u dogjën. Gjithkush, sepse Edin Xheko u stërvit në një fushë që vetëm këto ditë kur shkrimi po shkruhet e botohet është veshur me bar artificial.

Shqipëria I ka pasur Edin Xhekot e saj. Altin Lala, I bërë burrë para kohe, qysh 16 vjeç, është ndër ata të rrallët shqiptarë që e ka ditur ku po shkonte. Ai ishte refugjat adoleshent, por me mendjen top që do të bëhej futbollist profesionist. U bë I tillë, madje si kapiten Bundeslige.

Shqipëria nuk po ka ende mentalitetin e Bosnjë-Hercegovinës për të pretenduar qoftë edhe një herë të vetme që të mësyjë një turne të madh. Flas të Bosnjës së tmerreve, të korrupsionit po si tek ne, të fushave të përbaltura stërvitore që po shtrohen veç tani me bar artificial, në një hap me Shqipërinë. Nuk flas për Kroacinë.

Cili është sekreti I Bosnjës? Ndoshta që Sarajeva me shumë më pak banorë se Tirana ka shumë më tepër fusha dhe komplekse sportive. Natyrisht ka një trashëgimi të shkollës ish-jugosllave dhe nga ana gjenetike është më e fortë se shqiptarët.

Por ka edhe një dallim tjetër. Pak javë më parë, shtypi sarajevas lajmëronte se në një hapësirë mes stadiumit “Grbavica” dhe aneksit të tij, do të ndërtohet një pallat sporti, për të cilin deri në fund të 2010-ës do të shpenzohen 3.5 milionë euro. Ai pallat sporti do të ketë deri 2500 vende, do të përdoret për lloje të ndryshme sporti, si dhe do të ketë “objekte mikpritëse dhe kancelari”, që do të thotë hoteleri dhe zyra.

Po të kthehemi në Shqipërinë tonë të shkretë, kujtoj fjalët e Hysen Domit që përshkruante një takim me kryeministrin Berisha dhe se si ky I fundit habitej që, për ndërtimin e objekteve sportive duheshin aq pak para. “Vetëm 1.2 milionë euro në vit, kaq pak?”, – pyeste e habitej Kryeministri. Ne bisedojmë, habitemi, pastaj harrojmë, ndërsa ata ndërtojnë. Kryetari I rajonit të quajtur “Sarajeva e Re” (si të thuash Tirana e Re), Nexhat Kolxho, thotë se vetëm për 2009-ën janë planifikuar për t’u shpenzuar rreth 3 milionë euro për rigjenerimin e 4 ambienteve sportive dhe ndërtimin e dy ambienteve të tjera dhe pishinave të notit.

Meqë jemi tek noti, dikur, përpara viteve 90-të, në Tiranë kishte 6 pishina të hapura si dhe u ndërtua kompleksi i ri i pishinave. Ka qenë edhe një pishinë e mbyllur që I përkiste Partizanit. Në Shqipëri kishte edhe pishina të tjera si, në Shkodër, Vlorë, Lushnjw, Durrës, Elbasan apo Korçë. Pavarësisht se këto mund të përdoren vetëm në muajt e ngrohtë të vitit (Shqipëria nuk ka aq pak të tillë), sërish ekzistenca e tyre funksionale do të ndihmonte pa masë notin në këtë vend.

Ama të jenë funksionale, sepse tani asnjëra prej tyre nuk është e tillë. Madje pishinën e mbyllur deri pak muaj më parë e kishin sakatuar dhe ndarë me mur për ta bërë ndoshta ndonjë depo.

Ja pra, kjo është Bosnjë-Hercegovina dhe kjo është Shqipëria. Sado që të justifikohemi, disa të vërteta janë të thjeshta. Edin Xheko, Zvijezdan Misimoviçi, Miralem Pjaniçi, Vedat Ibisheviçi, Sejad Salihoviçi e të tjerë ishin të talentuar, siç në Shqipëri ka plot. Por nga ata talente u krijuan futbollistë prej TRAJNEREVE dhe PUNËS që u bë me ta edhe në fushat e baltosura, bombarduara, thuajse varreza të Bosnjë-Hercegovinës.

Ka vetëm një mënyrë se si fëmija stërvitet, edukohet, I mësohen lëvizjet, teknika, shpejtësia, mentaliteti kolektiv, edukata dhe respekti ndaj trajnerit, shokut dhe tifozit. Këtë e bëjnë vetëm trajnerë që duan punën, që derdhin djersën, jo që bien era raki, turshi e qofte. Trajnerë që vrapojnë pas fëmijës derisa ta mësojnë, jo që e shajnë dhe I bërtasin si njerk Ahmeti tek “Dora e Ngrohtë”.

Duhen edhe klube që t’I kujtojnë trajnerit se ka një bordero ku duhet “të falet” dhe as nuk mund të prekë kokërr leku nga prindërit. Klube që t’I thonë trajnerit se nuk mund të stërvisë nga 40 lojtarë për turn dhe t’I shkatërrojë, por jo më shumë se 20.

Po t’I kishim këta lloj trajnerësh dhe këta lloj klubesh, sot Hyka, Bakaj, Kuli, Mukaj, Sefa (të dy), Muzaka e të tjerë do të ishin duke luajtur në Francë, Gjermani dhe Itali e jo në Shqipëri. Këta janë të gjithë brezi I djegur I sistemit të shkatërruar të futbollit tonë.

Ka edhe diçka tjetër që quhet krenari kolektive dhe kombëtare. Pa pasur frikë se do të quhesh nacionalist I sëmurë, e vërteta është se Ballkani I ngjan atij fshatit ku gjithkush haset me njëri-tjetrin në sheshin e vetëm, në qendër të tij. Serbi shkon në botëror, kroati po, slloveni po, boshnjaku thuajse, greku del kampion Europë dhe turku I treti në botë. Malazezi është I qetë se me 600 000 banorë ka dalë kampion Europe në vaterpol me kombëtare dhe klube.

Po shqiptari? A ia vlen të jetohet kështu, I ulur, I përbuzur (flasim sportivisht)? Ai nuk ia vlen të provohet? Patjetër që po dhe do të shikoni se herën tjetër në plej of përballë portugezëve s’do të jenë boshnjakët, por shqiptarët.

Hello world!

Welcome to WordPress.com. This is your first post. Edit or delete it and start blogging!

Quhej Rikardo Zamora, legjendë e një brezi tashmë të harruar që ngriti peshë tribunat e stadiumeve në vitet e largëta 30-të. Ai ishte “macja e parë e zezë”, portieri më I madh I botës derisa u shfaq Lev Jashini. “El Divino”, vetë Zoti për spanjollët. Ky emër I shndritshëm tregon një histori me dëborë e rraskapitje të vitit 1962, kur si trajner I Espanjolit u ndesh me Crvena Zvezdën në Beograd për Kupën e Qyteteve Panaire (Kupa UEFA, sot Liga e Europës). Vazhdoni me Lexim »